Z. Rama, e keqja është tek ty dhe pronarët, jo tek gazetarët

0
183

Nga Ergys Mërtiri

Kryeministri Rama sulmoi përsëri mediat që, sipas tij, janë të korruptuara dhe gjenerojnë pasuri të tejskajshme. Duke iu referuar një fjale të Idro Montanelit, “kurrë mos i beso një gazetari të pasur”, ai u përpoq ti akuzojë ato se bëjnë pasuri të paligjshme.

E vërteta është se gazetarët në Shqipëri janë shumë të varfër. Ata rropaten në kërkim të lajmit për rroga qesharake, të cilat shpesh nuk i marrin në kohë. Ata që pasurohen me median, janë përgjithësisht analistë mainstream që i bëjnë fresk qeverisë, si dhe pronarët e tyre.

E vërteta që e dijmë të gjithë tashmë është se mediat në Shqipëri dalin me humbje. Vështirë se gjen sot ndonjë television apo gazetë që i nxjerr shpenzimet e veta. Pyetja shtrohet, si shpjegohet kjo? Si ka mundësi që një aktivitet ekonomik të vazhdojë të funksionojë edhe kur është jorentabël?

Përgjigjen për këtë, më mirë se kushdo, e di vetë Kryeministri, i cili ka në dorë rubinetat për përfitimet e pronarëve. Të gjithë e dijmë se ata i mbajnë mediat, jo për të fituar, por për të përfituar. Shpenzimet për mbajtjen e tyre i kompensojnë disafish nëpërmjet përfitimeve që nxjerrin nga bizneset e tyre paralele, duke marrë koncensione, tendera, leje ndërtimi e mbështetje politike nga qeveria.

Pra, mediat që pasurohen në mënyrë të paligjshme nuk e bëjnë këtë pa partneritetin e qeverisë. Nëse ato korruptohen, kush ua mundëson këtë? Vallja e korrupsionit hidhet dyshe dhe, nëse ka subjekte që përfitojnë në mënyrë të paligjshme, kjo nuk mund të bëhet pa miratimin e atyre që kanë për detyrë të mbrojnë ligjin.

Pikërisht kjo e ka shkatërruar tregun e mediave, duke i detyruar ato të hyjnë në një marrëdhënie klienteliste me qeverinë për të mbijetuar. Kjo do të thotë se tregu është i monopolizuar dhe ekzistenca e mediave varet nga vullneti i qeverisë që mbron këtë monopol me forcën e ligjit dhe fuqisë për ta përdorur apo shkelur atë. Kjo është arsyeja përse nuk kemi sot asnjë media mainstream që të jetë opozitare deri në fund, në mënyrë të pakompromis.

Armiku dhe kërcënimi më i madh i mediave dhe fjalës së lirë sot në Shqipëri është vetë Edi Rama. Rreziku i tij nuk vjen nga deklaratat bajate, fyerjet banale dhe talljet cinike në adresë të gazetarëve të thjeshtë, të cilët bëjnë modestisht punën e tyre, të sabotuar nga vetë pronarët e tyre në partneritet me qeverinë. Kërcënimi ndaj fjalës së lirë buron nga fuqia e madhe kompromentuese që qeveria ka në dorë, në një vend ku konflikti i interesave është një nyje e pazgjidhshme që mplekset në godinën e Kryeministrisë.

 

Komento