Mediat, studimi: 90% e të ardhurave shkojnë tek një grup i vogël familjesh

0
174

Mediat në vend janë të përqendruara në duar të pak familjeve të cilat arrijnë më shumë se gjysmën e audiencës por kanë edhe 90 për qind të të ardhurave në tregun shqiptar të medias. Është ky përfundimi që ka nxjerrë Monitori i Pronësisë së Medias prezantuar nga Reporterë pa Kufij dhe Rrjeti Ballkanik për Gazetari Investigative në Shqipëri (BIRN Albania).

Detajet I dha Kristina Voko, Drejtoreshë Ekzekutive e BIRN Albania e cila shprehet se “më në fund miti se, pavarësisht problemeve, media shqiptare përfaqëson pluralizëm këndvështrimesh, është rrëzuar. Një grup i vogël familjesh mbërrijnë më shumë se sa gjysmën e audiencës dhe kanë mbi 90% të të ardhurave në tregun tonë të medias.”

“Pas shumë dekadash tranzicioni dhe përpjekjeve të shumta nga aktivistët e shoqërisë civile brenda Shqipërisë, si dhe pas kontributeve të rëndësishme nga bashkësia ndërkombëtare, panorama e medias duket se po rrëshqet nga rruga drejt pavarësisë, pluralizmit dhe qëndrueshmërisë”, shtoi Olaf Steenfadt, drejtori global i Projektit të RSF Monitori i Pronësisë së Medias.

Sipas tij elitat duhet të ndërgjegjësohen për vlerën e një sektori mediatik të shëndetshëm dhe të veprojnë në mënyrë të përshtatshme duke pasur parasysh edhe ambicien e vendit për integrimin në Bashkimin Europian.

Prezantimi në Tiranë I Monitorimit vjen një javë pasi Komiteti i Ministrave të Këshillit të Europës miratoi udhërrëfyesit dhe rekomandimet për 47 vendet e veta anëtare, përfshirë Shqipërinë, mbi pronësinë dhe pluralizmin e medias. Urška Umek, Administratore e Departamentit për Shoqërinë e Informacionit në Këshillin e Europës, citoi thirrjen drejtuar qeverive kombëtare për të promovuar transparencën e pronësisë së medias dhe shtoi: “Ne nxisim shtetet të zhvillojnë kuadër rregullator kurdo që është e nevojshme.”

 

Komento