Qeveria në qarqe, Rama: Jo për ekskursion! Elbasan-Tiranë mbyllet brenda vitit

0
65

Komunikimin me gazetarët për vendimet e marra nga qeveria që mblodhi në Elbasan, Kryeministri Edi Rama e nisi duke thënë se këto mbledhje nuk bëhen as për ekskursion, as për turizëm.

“Jo për ekskursion, jo për turizëm, por për të qëndruar dhe shkuar në çdo pjesë të aktivitetit të zonës për të kontaktuar drejtpërdrejtë me njerëzit, për të dëgjuar dhe mësuar prej tyre, për të mbajtur shënim çfarë dëgjojmë dhe përcjellë mesazhet tona. Për të bërë me dije projektet tona dhe për t’u mbajtur fort të lidhur me realitetin, për të qëndruar me këmbë në tokë”, tha ai.

“Dhurata” e qeverisë për qytetarët elbasanas në këtë Ditë Vere ishte premtimi për përfundimin e rrugës Elbasan-Tiranë brenda këtij viti. Kryeministri konfirmoi lajmin e dhënë një ditë më parë nga Top Channel, ku burime nga Ministria e Infrastrukturës thanë se nevojiten fonde shtesë me të paktën 22 milionë euro për përfundimin e këtij aksi.

“Kemi trashëguar dy probleme të mëdha, dy gropa të mëdha. Jemi të vendosur që rrugën Elbasan-Tiranë dhe rrugën Qukës – Qafë-Plloçë, dy projekte skandaloze, kontrata skandaloze dhe rritje kostosh skandaloze. Rruga të finalizohet brenda këtij viti, të hapet përfundimisht dhe të lidhet përfundimisht përmes kësaj rruge të re Elbasani dhe Tirana. Është e vërtetë që është çështje financimi dhe ne do të marrim përsipër financimin. Por, është edhe çështje e babëzisë së shkuar dhe të freskët dhe për babëzinë e freskët autorët janë duke u gjykuar”, vijoi ai.

Rama foli edhe për aksin rrugor që lidh Elbasanin me Beratin.

“Po finalizohet një aks i ri rrugor i nisur në mandatin e parë, ai mes Elbasanit dhe Beratit duke bashkuar Cërrikun, Belshin, Urën Vajgurore dhe Kuçovën, që janë zona ku ka një zhvillim të vazhdueshëm bujqësor”, tha Kryeministri.

 

Komento