Turqia dhuratë pajisje të reja e moderne per shërbimin Zjarrfikës të Tiranës

0
127

Shërbimi Zjarrfikës i Tiranës është pajisur sot me bazë të re materiale, si uniforma, fikëse zjarri dhe mjete ndihmëse, të cilat do të lehtësojnë punën për menaxhimin e situatave emergjente që mund të shfaqen në të ardhmen. Në ceremoninë e dorëzimit të pajisjeve në Repartin e Zjarrfikësve në Tiranë, kryebashkiaku Erion Veliaj vlerësoi kontributin e vazhdueshëm të dhënë nga qeveria turke për përmirësimin e infrastrukturës dhe modernizimin e shërbimit zjarrfikës.

Veliaj: “Dua të falënderoj ambasadorin e Turqisë dhe të gjithë shokët tanë nga TIKA sepse na kanë ndihmuar në një situatë ku kishim nevojë jetike. Pajisjet, mjetet mbrojtëse, mjetet e oksigjenit, të ndriçimit, uniformave anti-zjarr, është realisht çështje jetë a vdekje. Për shokët që na ndihmuan kemi vetëm mirënjohje, ndaj dua t’ju falenderoj në emër të qytetarëve të Tiranës, por edhe të zjarrfikësve të Tiranës”

Kryebashkiaku u shpreh se falë përmirësimit të pajisjeve dhe të kushteve të punës, shërbimi zjarrfikës do e ketë shumë herë më të lehtë për të përballuar me sukses stinën e verës për menaxhimin e rasteve të zjarreve.

Veliaj “Shpresoj që e kemi bërë punën pak më të lehtë falë kësaj ndihme dhe do të thosha që me mjetet e reja do kemi mundësi që, siç përballuam dimrin me sukses, të përballojmë me sukses edhe stinën e verës. Kemi sot bombula oksigjeni, kemi pompa krahu, sidomos për zonat pyjore ku kemi pasur shumicën e zjarreve gjatë stinës së verës”

Veliaj u kërkoi qytetarëve që të ndihmojnë duke sinjalizuar në kohë çdo rast problematik që mund tëshfaqet, ndërsa tha se bashkia planifikon të investojë edhe në stacionet e reja të zjarrfikësve.

Veliaj: “Më vjen mirë që sot kemi rritur standardin. Do të fillojmë tani me rehabilitimin e disa stacioneve të tjera që të jenë pak a shumë në të njëjtën gjendje”.

Ambasadori turk në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve dhe punën e kryebashkiakut Veliaj në kryeqytet. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe përfaqësuesit e ambasadës turke dhe të TIKA-s në Tiranë morën pjesë në mbjelljen e 250 pemëve të reja përgjatë Unazës së Madhe, një nga veprat më të rëndësishme infrastrukturore në kryeqytet.

 

Komento