Debati/ “Pse e ruani me policë kunatin e Beqes?”, Shullazi i ‘sulet’ prokurores

0
220

Seanca e djeshme te Krimet e Rënda për gjyqin ndaj Emiljano Shullazit është shoqëruar me debate të ashpra mes të akuzuarit dhe prokurores Elisabeta Imeraj. Shkak është bërë dëshmia e shoferit të Ylvi Beqes, që është edhe kunati i tij, shkruan “Panorama”. Vitin që shkoi, Besnik Musai dëshmoi në gjyq i mbrojtur nga uniformat blu dhe tha se e kishte parë Emiljano Shullazin të kërcënonte me armë zjarri Ylvi Beqen, teksa hartohej kontrata e dhurimit të ish-hotel “Vollgës” në Durrës. Janë pikërisht këto dy dëshmi, ajo e Musait dhe e Ylvi Beqes, që e mbajnë Emiljano Shullazin në burg, ndërkohë që dëshmitarët e tjerë janë tërhequr nga dëshmitë e para. Në seancën e djeshme, avokatët e Emiljano Shullazit kërkuan që Besnik Musai të thirrej sërish në gjyq dhe pyetën prokuroren nëse ai është marrë në pyetje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda përpara se të dëshmonte në gjykatë.

Prokurorja Elisabeta Imeraj tha se dëshmitari nuk është thirrur më parë në Prokurori dhe se dëshmia e tij e parë për ngjarjet në Durrës ishte ajo që dha para gjykatës. Mirëpo, i akuzuari Emiljano Shullazi vuri në dyshim fjalët e prokurores dhe kërkoi të dinte se përse Besnik Musai ruhej nga uniformat blu.
Sipas tij, vendosja e Musait në ruajtje fizike nga forcat e rendit ka krijuar kushte që ai të japë dëshmi të rreme. Për këtë arsye, Emiljano Shullazi kërkoi që Besnik Musai të rithirrej në gjykatë për të dëshmuar. Por kërkesa e të akuzuarit u hodh poshtë nga gjyqtari Fran Prendi. Gjithashtu, edhe kërkesa për të pyetur oficerin e policisë, Petrit Gjeçaj, nuk u pranua nga gjykata.

Ylvi Beqja dhe Besnik Musai dëshmuan në fund të vitit të kaluar në Gjykatën e Krimeve të Rënda në lidhje me çështjen e ish-hotel “Vollgës”. Sipas Beqjes, Emiljano Shullazi e pati kërcënuar që ai ta bënte bashkëpronar në objektin në fjalë. Kërcënimi, sipas Beqes, ishte bërë në Durrës te noterja Aida Spahiu, ku Shullazi i vendosi pistoletën Beqjes dhe e detyroi që të përpilonte aktin e dhurimit. Ky version është pohuar edhe nga Besnik Musai. Por Shullazi vetë e ka kundërshtuar, duke thënë se ishte Ylvi Beqja ai që e bëri bashkëpronar pas ndihmës që ai i ofroi për regjistrimin e ish-hotel “Vollgës” si pronë të tijën.
Burimi: http://www.panorama.com.al/debati-pse-e-ruani-me-police-kunatin-e-beqes-shullazi-i-sulet-prokurores/

 

Komento