Trajneri Lika: Vllaznia synon fitoren edhe ndaj Shënkollit

0
61

Vllaznia do të luajë nesër ndaj Shënkollit ndeshjen e rradhës dhe objektivi i saj padyshim që do jetë sërish fitorja. Kjo ka qenë edhe përmbledhja e asaj çfarë ka deklaruar në prononcimin e tij për mediat trajneri Hasan Lika. Ai ka folur edhe për kundërshtarin, për rëndësinë e fitores por edhe për mungesat që do kenë kuqeblutë në këtë sfidë.

“Kemi të bëjmë me një ndeshje të fortë sepse edhe ekipi i Shënkollit kërkon të japë maksimumin në fushën e tyre ashtu si çdo skuadër tjetër për të arritur objektivin që ka, në mënyrë që me mbarimin e fazës së dytë të jenë të pozicionuar në pesëshen e parë të renditjes dhe t’i largohet pjesës së fundit të klasifikimit. Kështu që jemi të ndërgjegjshëm se na pret një ndeshje e fortë nesër në Shënkoll. Këtë kundërshtar deri diku e njohim sepse kemi luajtur edhe një miqësore me të kohë më parë dhe vërtetë Shënkolli mund të mos jetë ai i asaj miqësoreje, por edhe Vllaznia nuk është ajo e miqësores. Të dyja skuadrat janë rritur dhe shpresoj që të kemi një ndeshje të mirë nesër. Për këtë takim Malota nuk do të jetë i gatshëm ndërsa Gilmani (Lika) është pothuajse i gatshëm, ndoshta jo për 90 minuta të plota por do jetë me skuadrën. Ne hyjmë në çdo ndeshje për të fituar dhe kështu do veprojmë edhe ndaj Shënkollit. Dhe nëse e realizojmë këtë ndeshje ashtu si herët e tjera, besoj se do ia dalim me sukses. Po përmirësohemi çdo ditë e më shumë dhe tashmë vëmendja është në aspektin tekniko- taktik sepse për sa i përket luftës sportive, futbollistët nga ndeshja në ndeshje kanë ardhur duke e rritur atë. Jam i bindur se do ta kalojmë me sukses edhe këtë takim. E rëndësishme është të krijojmë raste dhe të shënojmë dhe po ashtu të mos e lejojmë kundërshtarin të na rrezikojë. Ne punojmë në të dy drejtimet dhe nëse në njërin duket se jemi më pozitiv, në aspektin mbrojtës, mendojmë se duhet të përmirësohemi akoma edhe më shumë në atë sulmues”- ka deklaruar LIKA

Komento