Inaugurohet Aeroporti i Stambollit, “pika e re lidhëse e botës”

0
108

Përmes një ceremonie madhore, në Stamboll u bë inaugurimi i fazës së parë të aeroportit të tretë të Stambollit, me pjesëmarrje të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu Agency (AA).

Hapja e fazës së parë të aeroportit u organizua me rastin e 29 Tetorit, Ditës së Republikës në Turqi, që shënon ditën kur Turqia u shpall republikë në vitin 1923.

Para një numri të madh mysafirësh, përfshirë zyrtarë dhe krerë shtetesh nga rajoni dhe bota, Erdoğan u adresua me një fjalim.

Në fjalën e tij, Erdoğan përshëndeti të pranishmit dhe uroi që aeroporti i ri të jetë në dobi për vendin, rajonin dhe tërë botën.

Presidenti i Turqisë njoftoi se emri i aeroportit të ri do të jetë “Aeroporti i Stambollit”.

“Një vepër kaq e madhe për këtë qytet të çmuar. Për këtë, ia dhamë emrin Stamboll”, tha Erdoğan, duke shtuar se Stambolli nuk është vetëm qyteti më i madh i Turqisë, por edhe marka më e vlefshme e vendit.

Duke folur për Aeroportin Ataturk të Stambollit, presidenti turk tha ai do të ruajë statusin e tij si aeroport, por do të mbyllet për fluturime komerciale pasi aeroporti i ri të fillojë funksionimin me kapacitet të plotë.

Ai deklaroi se të gjitha fazat parashihet të pëfundojnë deri më 2028.

“Rrjedhimisht, aeroporti do të vazhdojë të rritet përgjatë dhjetë viteve të ardhshme”, shtoi Erdoğan.

Faza e parë e aeroportit do të ketë kapacitet për 90 milionë pasagjerë në vit, tha Erdoğan, duke shtuar se “kjo shifër do të rritet në 150 milionë, nëse nevojitet edhe në 200 milionë, pas përfundimit të të gjitha fazave”.

Sipas Erdoğan, aeroporti i ri, me arkitekturën, administrimin dhe financimin e tij, është nderi i vendit dhe projekt që në botë do të merret si shembull.

“Aeroportin e Stambollit e shohim si një shërbim të madh që kemi bërë jo vetëm për vendin tonë, por për gjithë rajonin dhe botën”, potencoi presidenti i Turqisë, duke thënë se vendi i tij është i vendosur të bëhet një ndër dhjetë ekonomitë më të mëdha të botës, si dhe “simboli i paqes, qetësisë, sigurisë, prosperitetit në rajon dhe në botë”.

“U drejtohem të gjithë miqve në rajon dhe botë: Ejani së bashku të ndërtojmë një të ardhme në paqe, të sigurt dhe të begattë për të gjithë”, shtoi Erdoğan.

Në prani të mysafirëve, aeroporti u hap me lutje që u lexuan nga kreu i Kryesisë së Çështjeve Fetare të Turqisë, Ali Erbaş.

Në fazën e parë, aeroporti do të shërbejë 90 milionë pasagjerë në vit.

Aeroporti është ndërtuar në një hapësirë prej 76,5 milionë metra katrorë, ndërsa për hapjen e fazës së parë janë investuar gjashtë miliardë euro.

Ndërkaq, faza e dytë pritet të përfundojë deri në vitin 2023. Për ndërtimin e aeroportit, i cili do të jetë më i madhi në botë, janë angazhuar rreth dhjetë mijë njerëz.

Pas përfundimit të punëve, aeroporti do të përbëhet nga gjashtë pista të ndara me një kapacitet për 500 avionë, parking të hapur dhe të mbyllur me kapacitet për 70 mijë automjete dhe në vit do të shërbejë rreth 200 milionë pasagjerë.

Ndërtesa e terminalit të aeroportit shtrihet në 1,3 milionë mtera katrorë dhe do të jetë ndër më të mëdhatë në botë. Pamja e brendshme dhe e jashtme janë inspiruar nga motive të arkitekturës turke.

Deri në vitin 2025, aeroporti pritet të mundësojë 225 mijë vende të reja pune.

Pas përfundimit të zhvendosjeve të duhura deri në fund të vitit, pritet që në aeroport në ditë të aterojnë dhe ngriten 2.000 avionë, nga më shumë se 350 destinacione, ndërsa shërbimet e tyre do t’i ofrojnë 250 kompani ajrore.

Që para hapjes, aeroporti ka marrë disa çmime, prandaj pritet që ky trend të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Aeroporti i ri do të lidhet edhe me hekurudhë deri në qendër të qytetit ndërsa punimet ende vazhdojnë.

 

Komento