Meta propozon Vitore Tushën në krye të KLSH

0
77

Vitore Tusha duket se do të jetë emri i ri në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit, pas përfundimit të mandatit të Bujar Leskajt.

Përmes një njoftimi për mediat, presidenca ka bërë me dije se Presidenti Meta ka vendosur ta propozojë atë si personin më të përshtatshëm në këtë post.

“Presidenti pas realizimit të një procesi transparent dhe objektiv, ka arritur në konkluzionin se, Doktore e Shkencave Juridike znj.Vitore Tusha plotëson kushtet dhe kriteret ligjore, si dhe është kandidatura më e përshtatshme për tu zgjedhur në këtë pozicion kushtetues, bazuar në eksperiencën solide dhe kontributin e pandërperë të znj.Tusha, në fushën e jurispudencës, si në sistemin gjyqësor, ashtu dhe referuar angazhimeve të saj akademike si pedagoge në institucionet e arsimit të lartë në fushën e së drejtës, trajnuese dhe pedagoge në Shkollën e Magjistraturës, apo edhe si eksperte në fushën e së drejtës kushtetuese e më gjerë”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Presidencës.

Më 5 Prill Vitore Tusha kaloi me sukses sprovën e Vetting-ut, teksa mbante postin e anëtares së Gjykatës Kushtetuese.

Raporti përshkruan se gjyqtarja kushtetuese i ka deklaruar pasuritë e saj, të tilla si banesë në Tiranë, 500 metra toke në Farkë dhe shtëpi në Gjirin e Lalëzit, për të cilën ka ende pa shlyer një këst. Edhe për komponentin e dytë të Vettingut, DSIK ka referuar se gjyqtarja Vitore Tusha ka figure të pastër dhe pa lidhje të dyshimta. E njëjta gjë konkludohet edhe për aftësitë profesionale të gjyqtares Tusha pas kontrollit të pesë dosjeve gjyqësore.

 

Komento