Mesi, Bashkëbisedim me Shoqërinë Civile për Reformën në Shërbimet Publike

0
73

Ecuria e reformës në shërbimet publike, si një prioritet i qeverisë shqiptare, ka qenë fokus i një takimi që Zëvendëskryeministrja e Republikës së Shqipërisë Znj. Senida Mesi ka zhvilluar me përfaqësues të ndryshëm të shoqërisë civile. Qëllimi i këtij takimi ka qenë ndarja e mendimeve lidhur me reformën në shërbimet publike, prezantimi me ecurinë e deritanishme dhe marrja e sugjerimeve nga të pranishmit në lidhje me avancimin e mëtejshëm të këtij procesi.
Nën rolin e udhëheqëses së kësaj reforme, Znj. Mesi duke u ndalur tek vizioni i qeverisjes, si një vizion i përqendruar tek qytetari dhe llogaridhënia, theksoi faktin se gjithëpërfshirja zë një aspekt të rëndësishëm në të gjithë proceset e kësaj reforme. “Aksesi tek çdo shërbim për çdo qytetar, pavarësisht vendodhjes; cilësia në ofrimin e shërbimeve; si dhe transparenca në aksesimin e informacionit për shërbimet publike janë në thelb të të gjithë kësaj reforme historike e të pandalshme”, u shpreh ajo.
Znj. Mesi tha se aktualisht shqiptarët mund të aksesojnë shërbimin përmes qendrave të integruara ADISA, por edhe përmes portalit elektronik qeveritar “e-Albania”. “Deri tani janë 5 Qendra të Integruara ADISA dhe 15 të tjera do të hapen në vijim . Brenda këtij viti, do të hapim ADISA në Shkodër dhe Tiranë ku do të ofrohen më shumë se 535 shërbime”, tha Zëvendëskryeministrja duke nënvizuar faktin se po punohet për ofrimin e shërbimeve edhe përmes “Kolokimit” me Postën Shqiptare, Bashkitë, si edhe ndërtimin e njësive lëvizëse që të ofrojnë shërbime në zona të thella.
Gjatë takimit, u vu gjithashtu theksi edhe tek transparenca dhe lufta ndaj korrupsionit, ku shërbimi “online” dhe digjitalizimi i shërbimeve janë cilësuar si instrumente themelore në këtë drejtim për shmangien dhe parandalimin e tij.

Me rëndësi të veçantë është konsideruar edhe miratimi i kartës së qytetarit vetëm pak kohë më parë, një lloj “kushtetute”, e cila synon të mbrojë dhe fuqizojë të drejtat e qytetarëve shqiptarë gjatë marrjes së shërbimeve publike nga administrata shtetërore. “Karta e Qytetarit do të afishohet në çdo zyrë të administratës shtetërore për të qënë e aksesueshme nga qytetarët. Ajo pritet që të ndikojë edhe në rritjen e transparencës në proceset e shërbimeve publike. Disa nga të drejtat që parashikohen në këtë kartë janë ato të informimit paraprak të qytetarit për procedurat e marrjes së shërbimit; e drejta për trajtim të barabartë gjatë marrjes së shërbimeve; e drejta për të ankimuar, e drejta për të marrë këshillim gjatë procesit të shërbimeve, e drejta për lehtësimin e barrës burokratike mbi qytetarin etj.”, u shpreh Zëvendëskryeministrja Mesi.

Komento