Protesta e “jelekëve të verdhë”, “katastrofë ekonomike” për Francën

0
167

Protestat e “jelekëve të verdhë” kanë qenë “një katastrofë” për ekonominë franceze, thotë ministri i Financave.

Franca kaloi katër javë demostratash të njëpasnjëshme kundër rritjes së taksës së karburantit, kostove të larta të jetesës dhe çështjeve të tjera.

Rreth 125,000 protestues dolën në rrugë të shtunën, me më shumë se 1,200 të arrestuar.

Presidenti, Emmanuel Macron, pritet të njoftojë masat kundër krizës në një fjalim drejtuar kombit të hënën.

Ministri i Financave Bruno Le Maire e quajti situatën “një krizë” për shoqërinë dhe demokracinë.

“Është një katastrofë për biznesin, është një katastrofë për ekonominë tonë”, tha ai teksa vizitoi dyqanet e dëmtuar gjatë protestave në Paris.

Kryeqyteti mori goditjen kryesore nga protestat, me dritare të shkatërruara, makina të djegura dhe dyqane të grabitura, pasi 10,000 vetë morën pjesë në demonstrata.

“Kishte më shumë dëme dje se një javë më parë, sepse protestat e së shtunës ishin më të shpërndara”, tha zëvendëskryetari i bashkisë Emmanuel Gregoire për radion lokale.

Megjithatë, ai shtoi se kishte më pak lëndime në krahasim me javën e kaluar.

Ndërkohë Ministri i Jashtëm i Francës i bëri thirrje Presidentit amerikan Donald Trump të dielën, që të mos ndërhyjë në politikën franceze, pas mesazheve të zotit Trump në Twitter lidhur me protestat në Paris.

“Ne nuk merremi me politikën e brendshme amerikane dhe duam të njëjtën gjë në këmbim. Unë dhe presidenti francez i themi Donald Trumpit: mos u merr me vendin tonë”, tha ai.

Presidenti, Emmanuel Macron, do t’i drejtohet vendit në orën 20:00 me orën lokale të hënën.

Ai pritet të takojë sindikatat dhe udhëheqësit e biznesit në mëngjes. Macron ka mbajtur një profil të ulët deri më tani gjatë protestave.

 

Komento