Nis Projekti për Zbatimin e Reformës së Shërbimit Civil në Administratën Publike

0
102

Në kuadër të mbështetjes së vazhdueshme të Bashkimit Evropian (BE) për reformën në administratën publike, është lançuar sot faza e parë e projektit “Zbatimi i Reformës së Shërbimit Civil në Administratën Publike”, financuar nga fondet IPA 2014.

Këto fonde, të cilat kapin një total prej 2.8 milion euro për t’u përdorur gjatë 30 muajve të ardhshëm me mbështetjen gjithashtu të ekspertëve evropianë, synojnë forcimin e mëtejshëm të qeverisjes dhe efikasitetit të sektorit publik nëpërmjet fuqizimit të administratës publike shqiptare duke u bazuar në profesionalizëm, meritokraci, si dhe duke siguruar mekanizmat e kontrollit dhe mbikëqyrjes mbi administratën publike për të garantuar të drejtat e qytetarëve dhe zgjerimin e informacionit.

E pranishme në këtë aktivitet ishte Zëvendëskryeministrja e Republikës së Shqipërisë Znj. Senida Mesi, e cila u ndal tek rëndësia e këtij projekti për sa i përket reformës në administratë publike si një prej 5 prioriteteve kyçe të integrimit të vendit tonë në BE:

“Nevojitet një administratë publike e shëndetshme në përballimin e sfidave që janë përpara si reforma në drejtësi, anti-korrupsioni, reforma në shërbimet publike me në qendër qytetarin etj.  Duam një administratë që të jetë jo vetëm e përgjegjshme duke ofruar shërbime me profesionalizëm, por duam gjithashtu edhe një administratë e cila është e depolitizuar. Lançimi i këtij projekti, ka të bëjë sigurisht edhe më këtë element”, u shpreh Znj. Mesi.

Zëvendëskryeministrja Mesi u ndal më konkretisht tek 3 elementë të cilat ajo i cilëson thelbësore për të qenë sukses i projektit në fjalë:

“Hartimi i kurrikulave të trajnimit në bashkëpunim me Shkollën Shqiptare të Administratës Publike; vlerësimi i kritereve të performancës për çdo individ që është pjesë e administratës publike; si dhe strukturimi i pagave, ku prevalon meritokracia, janë elementë shumë të rëndësishëm dhe do të doja që të ishin sukses i këtij projekti që ne po lançojmë”, nënvizoi ajo.

Në lidhje me zbatimin e këtij projekti, Zëvendëskryeministrja Mesi siguroi gjithë vëmendjen e qeverisë shqiptare për bashkëpunim maksimal me partnerët dhe ekspertët ndërkombëtarë në mënyrë që të garantohet rezultat e produkt sa më i prekshëm për ato që shërbimi civil ka në funksion bazë: qytetarët!

 

Komento