Mërtiri: Lindjet po dëmtohen nga përfshirja e shoqërisë në jetën moderniste

0
94

Sociologu Ergys Mërtiri thotë se ulja e numrit të fëmijëve për familje në Shqipëri vjen, në një nivel të ndjeshëm, si pasojë e modernizimit të jetës sonë sociale e kulturore.
Nga ana tjetër, shtimi i madh i familjeve me një person, numri i madh i divorceve, si dhe ndërprerja e lidhjeve midis njerëzve i pakëson mundësitë për të pasur fëmijë, analizon ai, duke renditur edhe disa nga pasojat që po krijohen.

Zoti Mërtiri, Shqipëria po përjeton një tranzicion të thellë demografik, që së fundmi është profilizuar me rënie të numrit të lindjeve dhe nivel të lartë të emigracionit. Cilat janë shkaqet nga këndvështrimi i një sociologu?

Rënia e numrit të lindjeve është fenomen i pranishëm kudo në vendet e modernizuara. Kjo ka të bëjë me shumë arsye, por kryesisht lidhet me stilin e jetesës. Ka studiues të cilët pohojnë se shoqëritë moderne janë bërë së tepërmi individualiste dhe madje edhe hedoniste, gjë që ul predispozitën për të rritur fëmijë, të cilët kërkojnë përkushtim dhe sakrifica.

Në përgjithësi, jeta moderne i orienton individët drejt vlerave të tjera ku familja zë një peshë më të vogël. Ajo shihet madje edhe si pengesë në mjaft raste. Numri i madh i fëmijëve të kushtëzon në mënyrën e jetesës, të kushtëzon karrierën, mjetet financiare apo edhe kohën të cilën ua kushton interesave individuale. Për rrjedhojë, shumë njerëz priren të sakrifikojnë lindjen e fëmijëve përballë interesave të tjera.

Nga ana tjetër, shtimi i madh i familjeve me një person, numri i lartë i divorceve, si dhe ndërprerja e lidhjeve midis njerëzve i pakëson mundësitë për të pasur fëmijë. Kjo shtohet edhe nga vetë dobësimi i familjes dhe pasiguria që kjo jep, gjë që reflektohet doemos edhe te hezitimi për të bërë fëmijë. Nëse i kthehesh hartës së lindshmërisë në botë, nuk mund të mos vëresh paradoksin që vendet e varfra kanë përgjithësisht një nivel më të lartë lindshmërie sesa ato të zhvilluara. Kjo tregon se ulja e numrit të lindjeve është më shumë një fenomen me natyrë kulturore dhe ka të bëjë më shumë me stilin e jetesës sesa me mundësitë financiare.

Të gjitha këto kanë filluar të gjejnë një shtrirje të gjerë edhe në Shqipëri, pavarësisht se ritmet e zhvillimit ekonomik nuk kanë qenë në nivelet e duhura. Kulturalisht ne jemi të prekur nga pasojat e modernitetit, pavarësisht se ende nuk kemi zhvillimin ekonomik të vendeve prej të cilave importojmë ndikime kulturore. Ulja e numrit të fëmijëve për familje në Shqipëri vjen, në një nivel të ndjeshëm si pasojë e modernizimit të jetës sonë sociale e kulturore.

Natyrisht këtyre fenomeneve në Shqipëri iu shtohet edhe emigracioni, i cili krijon vështirësi të mëdha për të krijuar dhe për të mbajtur familjen. Vështirësitë ekonomike dhe humbja e shpresës, i shtyjnë njerëzit ta kërkojnë fatin e tyre jashtë vendit dhe kjo mungesë sigurie e qëndrueshmërie do të reflektohet edhe në numrin e lindjeve. Nuk duhet harruar edhe fakti se emigracioni prek kryesisht të rinjtë, dhe kjo patjetër që do të ketë ndikim demografik.

Çfarë kostosh ose përfitimesh do të përjetojë shoqëria shqiptare nga ky fenomen?

Kur niveli i shtimit të popullsisë është tej disa normave, mund të bëhet problematik, por aktualisht numri i lindjeve ka rënë poshtë atij të dy fëmijëve për familje, gjë që do të thotë se popullsia po shkon drejt tkurrjes dhe rrjedhimisht, edhe drejt plakjes.

Deri tani, të qenët një nga popullsitë me moshën më të re në Europë, përbënte një gjë pozitive për vendin. Një vend me moshë popullsie të re do të thotë një vend me energji për të punuar dhe mundësi zhvillimi. Sot, Shqipëria nuk e ka më këtë privilegj, gjë që pritet të sjellë patjetër pasoja në të ardhmen. Nëse shpresojmë të kemi një vend që kërkon të zhvillohet ekonomikisht, kjo kërkon krah pune. Një sistem ekonomik i mbështetur mbi rritjen ekonomike, kërkon edhe rritje të fuqisë punëtore. Në Perëndim, ky problem është zgjidhur deri diku nëpërmjet emigracionit, me gjithë efektet sociale e kulturore që kjo sjell, por kjo nuk mund të funksionojë në Shqipëri, për sa kohë vendi nuk mund të jetë atraktiv për të tërhequr emigrantë.

Një problem tjetër, të cilin e vuan edhe Europa, është ai i pensioneve dhe i shumë shërbimeve që shteti duhet t’i garantojë në një popullsi të plakur. Nëse të moshuarit duhet të jetojnë nëpërmjet pensionit që marrin, dikush duhet të punojë për të garantuar këto të ardhura. Nëse nuk kemi një balancim të këtyre raporteve, i gjithë sistemi mund të shkojë në krizë. Një shoqëri e madhe në moshë ka kosto, të cilën, në kushtet ekonomike ku jemi, është vështirë të garantohen.

Çfarë politikash duhen ndërmarrë në mënyrë që situata të mos përkeqësohet?

Çështja është se këto janë fenomene kulturore dhe si të tilla është e vështirë të menaxhohen me politika sociale. Ato kërkojnë ndryshimin e mënyrës së jetesës, gjë që kërkon reflektim të thellë mbi vlerat që kemi përvetësuar. Unë mendoj se shoqëritë e sotme kanë nevojë t’u kthehen vlerave konservatore e, deri diku, edhe tradicionale, duke e kërkuar vetë aktualizimin dhe kënaqësinë te familja e fortë dhe e shëndetshme. Nëse njerëzit do të mësohen të vlerësojnë më shumë jetën familjare, sesa nevojat individuale apo ato egoiste ose hedoniste, kjo do të prodhojë një mënyrë jetese më të shëndetshme, gjë që do të rregullojë edhe balancat demografike.

Por natyrisht, shtetit i takon të meremetojë diçka me sa mundet, qoftë duke stimuluar mundësitë për krijimin e familjeve me politika ekonomike që lehtësojnë kushtet e jetesës për çiftet e reja, si strehimi, punësimi, shërbimet etj. Të gjitha këto, kërkojnë në fakt një ndryshim të orientimit të investimit të parave publike, duke hequr dorë nga një politikë spektakli, që investon në imazh, por duke bërë një politikë të orientuar drejt qytetarit dhe nevojave thelbësore të tij.

 

Komento