Bora nuk ndal studentët e Shkodrës, kyçën dyert e Fakulteteve

0
73

Reshjet e borës nuk i kanë penguar studentët e Universitetit “Luigj Gurakuqi” që mëngjesin e së mërkurës ta nisin me kyçjen e dyerve të fakulteteve me zinxhir, me qëllim që të mos lejohet hyrja e asnjë studenti apo pedagogu brenda auditoreve.

Kjo formë proteste në ditën e tretë të këtij viti të ri, ka ardhur për shkak se në dy ditët e para u aludua se ka patur fakultete të caktuara në të cilat është zhvilluar mësim.

Të rinjtë janë të vendosur të mos tërhiqen deri në plotësimin e 9 kërkesave që i kanë drejtuar qeverisë shqiptare.

Ndërkohë pas kërkesës së dorëzuar ne rektoratin e ShkodrËs për shtyrjen e datave të riprovimeve, Senati i Universitetit në një mbledhje të veçantë ka rënë dakort me propozimin e të rinjve.

Fakultetet janë ngarkuar për zbatimin e vendimit që shfuqizon datat e riprovimeve të përcaktuara për në muajin janar-shkurt 2019 dhe ato do të zhvillohen 2 javë pasi të mbyllen protestat e studentëve dhe ato të rikthehen në auditore.

Edhe kjo e mërkurë ishte ditë proteste dhe nuk u zhvillua mësim në asnjë fakultet të Universitetit të Shkodrës.

Komento