Pse e djathta rrezikon të humbasë pas 30 vitesh Shkodrën

0
1213

Nga Elson Çeliku

Çdo ditë që kalon ma shton më shumë idenë se tashmë është koha e duhur që Shkodra të votojë ndryshe. Për 28 vite me radhë drejtimi i qytetit nga partia demokratike ka rezultuar një dështim i vërtetë. Sapo kam kaluar të tridhjetat dhe ende edhe sot nuk janë më shumë se 10 njerëz apo 5-6 familje që mbajnë peng drejtimin e një qyteti si Shkodra. Në vend që sot pas 28 vitesh Shkodra të ishte qendra e zhvillimit është kthyer në një qytet që ka humbur shumë nga identiteti i tij. Shkatërrimin gradual me apo pa dashje e ka vulosur pikërisht PD në Shkodër me ata pak njerëz që i kanë zënë frymën Shkodrës dhe shkodranëve. Nëse diksuh do të ankohej se qeveria nuk paska sjellë investime gjë e cila nuk është asnjëherë e vërtetë duhet të kuptojë se në këto afro 26-27 vite, 13 prej tyre ka qeverisur e djathta. Është e papranueshme që ende sot në Shkodër të shitet karta e Jozefina Topallit si shpëtimtarja që ka ndryshuar qytetin. Në 8 vite të pushtetit të saj dhe në 5 të tjera kur ajo ishte po aty por jo si një Zonjë e Hekurt siç preferonte të cilësohej më pas, investimi në vetëm dy pedonale apo dy-tri rrugë kryesore janë borxhi më i vogël ndaj qytetit. Në të vetmen herë kur Ormir Rusi pranoi që t’i shtrinte dorën një kryeministri të majtë gjë e cila i kushtoi fshirjen politike të tij e majta solli investime të cilat Shkodra nuk i kishte parë asnjëherë. Në rastet e tjera kryetabashkiakët e PD me në krye Voltana Ademin i kanë parë kryeministrat e majtë si gjaksin duke harruar se detyra e një kryetari bashkie pasi mbarojnë zgjedhjet ose më mirë aftësia e tij është përthithja e sa më shumë investimeve. Nëse dikush nuk beson mjafton të bëjë një gjiro në Vau Dejës ose sot njësinë Bushat dikur komunë dhe të pyesë pak Zef Hilën se si ka mundur që të shpojë xhepin e çdo kryeministri duke çuar investimet tek komuniteti i tij. Nëse qeveria i paska mbyllur dyert gjë e cila nuk ekziston atëherë përse bashkia Shkodër është e pasuksesshme me investimet e huaja apo përse nuk bëhet fituese e asnjë projekti serioz strategjik nga projektet e të huajve. Kur të dhemb gishti sa herë e drejton nuk e kanë fajin të tjerët por gishti yt i thyer.
Në këto 26-27 vite partia demokratike ka abuzuar me pa më të voglin dyshim me qytetin e Shkodrës. Në gjithë këto vite është kjo PD e cila largoi me marsh të shpejtë thuajse të gjithë intelektualët e saj duke bërë një spastrim. Sulmi frontal ndaj vlerave bëri që PD të ketë në mesin e saj “luftën” mediokër musliman apo katolike, qytetar apo katundar e shumë e shumë paragjykime. I gjithë ky helm i qëllimshëm bëri që PD të zhvishet nga figurat e vërteta duke i lënë vendin atyre që dikur thyenin, plaçkisnin me kapuçë, vrisnin ose mbushnin me pushtet kriminelë dhe në pak vite duke u kthyer këta tipa në persona që vendosnin fatet jo vetëm të PD por edhe të qytetit si forca politike që drejton ende sot. Nuk është vetëm lista e këshillave bashkiak në gjithë këto vite tregues por edhe shumë tjetër. Si socialist nuk është se dua që t’i qaj hallin demokratëve por janë disa fakte të mjaftueshme për të treguar se përse shkodranët të paktën një herë duhet t’ia mbushin mendjen vetes se është koha e duhur për ta dënuar me votë PD dhe për t’i dhënë shansin një tjetër partie politike.
Partia Demokratike ecën ende me kartën e komunizmit por jo vetëm harron komunistët në radhët e saj siç akuzojnë shumë ish-demokratë dikur edhe me funksione të larta politike në PD Shkodër por nuk sheh edhe se si i lanë ish të përndjekurit politik për gjithë këto vite. Shumë prej tyre iu ndanë nga kjo jetë pa marrë asnjjë dëmshpërblim për shkak se PD e zvarriti procesin. PD përmend ende ish pronarët por nga ana tjetër harron se si në gjithë këto vitë kjo parti është autorja e shkatërrimit të pronarëve duke mos i dhënë atë që i takon, duke ia marrë pronën e madje me drejtësinë e kapur duke sjellë edhe shumë krime që burojnë nga konfliktet për pronën. PD përmend tregtarët e bizneset por harron padrejtësitë e mëdha gjatë qeverisjes së saj, përmend të rinjtë dhe punësimin por harron se si Shkodra edhe në kohën e PD ishte kryeqendra e papunësisë në mbarë Shqipërinë.
Në gjithë këto vite kur demokratët kanë vulën e qytetit asnjëherë nuk i dhanë një mundësi atyre të rinjve që vërtetë e meritojnë të jenë edhe në poste drejtuese. Gjithnjë të punësuarit janë djemtë, vajzat, nipërit, mbesat, kushërinjtë, të afërmit apo miqtë e të njohurit e tyre. Si ka mundësi që vetëm ky grup i vogël djemsh e vajzash që shansi deshi që të kenë prindërit apo kushërinjtë njerëz të rëndësishëm në PD të marrin vendet e punës duke mos i lënë hapësirë askujt tjetër. A thua ne të tjerët, ata të tjerët nuk qenkan të aftë për të mbajtur një vend pune apo një post por vetëm kjo listë nepotike e PD në Shkodër.
Arsyet që shkodranët në zgjedhjet vendore të 2019-ës për të ndryshuar dhe për të votuar majtas janë të pafundme. Nëse e quajnë ende veten qytetar konservator por edhe reformator, qyteti që nuk pranon shtypjen, cënimin, padrejtësitë apo edhe që urren të paaftët dhe nepotikët atëherë ka momentin e duhur për të shporrur ata 10 njerëz dhe ato 5-6 familje që mendojnë se Shkodra është një pronë e tyre që mund të bëjnë çfarëdo. Siguria se Shkodrën e kanë një bastion të palëvizshëm politikisht i ka bërë ata që të sillen në këtë mënyrë, që të mos kenë asnjë lloj frike, që të jenë të pangopshëm, të pandalshëm dhe që të abuzojnë me besimin që i kanë dhënë shkodranët për të mirëqevërisur edhe pse ka ndodhur e kundërta, keqeverisja. Është një e vërtetë si drita e diellit se për çdo kryetar bashkie shkodranët janë penduar duke uruar çdo herë largimin sa më parë, kulmi është kryebashkiakja aktuale e cila është kthyer në objekt qesharak.
Dështimi nuk është arsye që qytetarët të shpresojmë për më mirë në të ardhmen duke i besuar pazarit të parë këtë rast PD-së. E vetmja zgjidhje në mënyrë që të mos ketë më mallkimë që pak muaj pasi kryejnë zgjedhjet është ndërrimi i kursit për t’i dhënë besimin të majtës si dhe shansin për ta provuar të paktën një herë në drejtimin e qytetit. Ndoshta një ndëshkim me votë mund të bëjë që demokratët të reflektojnë dhe të rikthehen tëk vlerat e tyre të vërtëta por më parë ka ardhur kohë që të qëndrojnë në stol dhë të shohin një ekip tjetër në balkonin e bashkisë Shkodër për t’i rikthyer dinjitetin qytetarqve të saj dhe për t’i ndryshuar tërësisht imazhin si dhe për ta rikthyer në një pikë të rëndësishme të zhvillimit ekonomik, social, kulturor e sportiv.

Komento