Turqia: Politika kineze e asimilimit mbi ujgurët është turp për njerëzimin

0
46

Politika e asimilimit sistematik të cilin autoritetet kineze e zbatojnë mbi turqit ujgurë është një turp i madh për tërë njerëzimin, porositi zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë, Hami Aksoy, raporton Anadolu Agency (AA).

Aksoy dërgoi një deklaratë me shkrim lidhur me shkeljen e të drejtave të njeriut mbi turqit ujgurë, ndërsa me rastin e vdekjes së shkrimtarit dhe muzikantit ujgur Abdurehim Heyit.

Ai theksoi se turqit ujgurë dhe bashkësitë tjera muslimane në këtë rajon përballen me këmbënguljen e shkatërrimit të identitetit të tyre etnik, fetar dhe kulturor.

“Tashmë nuk është fshehtësi se mbi një million turq ujgurë janë të ekspozuar arrestimeve pa arsye, torturimit dhe larjes politike të trurit në kampe të përqëndrimit. Ujgurët që janë të mbyllur në kampe janë nën presion të madh. Njerëzit me origjinë ujgure të cilët jetojnë jashtë vendit nuk mund të vendosin kontakt me familjet e tyre. Mijëra fëmijë janë të ndarë nga familjet e tyre. Paraqitja e sërishme e kampeve të përqëndrimit në shekullin e 21-të dhe politika e asimilimit sistematik, që e zbatojnë autoritetet kineze kundër turqve ujgurë, është një turp i madh për mbarë njerëzimin”, porositi Aksoy.

Ai u përqëndrua edhe në vdekjen e Abdurehim Heyit, i cili dy vitet e fundit të jetës ishte i mbyllur në rajonin e popullit ujgur Xinjiang.

“Me pikëllim të madh morëm lajmin se Abdurehim Heyit, një nga poetët dhe muzikantët më të njohur ujgur, i cili për shkak të një prej vargjeve të tij u dënua me tetë vite burg, ndërroi jetë gjatë vitit të dytë të qëndrimit në burg”, porositi Aksoy, duke shtuar se “Presim nga autoritetet kineze që ta shqyrtojnë reagimin e opinionit turk lidhur me shkeljet serioze të të drejtave të njeriut”.

Aksoy theksoi se Ministria turke e Punëve të Jashtme i bën thirrje Kinës që t’i respektojë të drejtat themelore të njeriut të turqve ujgurë dhe t’i mbyllë kampet e përqëndrimit.

“I bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara (KB) që të ndërmarrin hapa konkrete dhe efektive me qëllim të dhënies fund të tragjedisë njerëzore në Xinjiang.

Organizatat kineze për mbrojtjen e të drejtave të njeriut tashmë një kohë të caktuar janë duke tentuar t’i tregojnë bashkësisë ndërkombëtare për problemet e bashkësisë ujgure në Xinjiang, ku miliona njerëz janë të mbyllur në kampet për transformim dhe riedukim.

Aktivistët gjatë mbledhjes së Komitetit të Kombeve të Bashkuara për luftë kundër diskriminimit racor në Gjenevë theksuan se autoritetet në Xinjiang në kampet për riedukim politik i burgosin të gjithë njerëzit me qëndrime dhe mendime të padëshirueshme.

Gjatë prezantimit, aktivistët e Kinës theksuan se gjithsej tre milionë njerëzve u janë shkurtuar liritë edhe atë pa kurrfarë procesimi gjyqësor.

Edhe organizata ndërkombëtare Human Rights Watch në raportin e paradokohshëm theksoi se shumë njerëz në Xinjiang vitet e fundit përfunduan në paraburgime në qendrat e ashtuquajtura për edukim politik, ndërsa bëhet fjalë për njerëz që autoritetet i kanë vlerësuar si të rrezikshëm dhe kundër tyre kanë urdhëruar veprim të ashtuquajtur parandalues policor.

Bashkimi Evropian (BE) ka shprehur shqetësim për shkak të ekzistimit të këtyre qendrave për edukim politik edhe atë qartazi ua kanë bërë me dije përfaqësuesve kinezë në takimin “Dialogu për të drejtat e njeriut”.

Pekini zyrtar mohon ekzistimin e këtyre kampeve në Xinjiang, ndërsa nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kinës pohojnë se bëhet fjalë për qendra të cilat përdoren vetëm për arsim profesional.

Komento